(Hulumtim me mostër në Kosovë)

Familja konsiderohet si gurthemeli i shoqërisë. Si në shoqëritë para-moderne ashtu edhe në ato moderne, është parë dhe shihet si njësia themelore e organizimit shoqëror (Haralambos & Holborn, 2000). Kohezioni familjar është definuar si lidhja emocionale që anëtarët e familjes kanë ndaj njëri-tjetrit (Olson, Russell, & Sprenkle, 1982). Në të gjitha teoritë e edukimit dhe të zhvillimit, familja dhe prindërit janë elementi kryesor që ndikon në zhvillimin e një fëmije.

Institucioni përgjegjës për popullatën e përgjithshme në esencë është vetë familja. Në rrethana normale familja dhe prindërit, në vitet e hershme të jetës, mbeten faktorët më të rëndësishëm në ndërtimin e personalitetit të fëmijës dhe mjedisit familjar. Dhe janë këta dy faktorë që luajnë rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve mbi rëndësinë e socializimit. Kushtet e stilit të jetesës e ndikojnë padyshim mënyrën e zhvillimit të një fëmije. Një fëmijë i cili rritet në një mjedis të vështirë ku ka probleme në aspektin e ushqimit dhe shëndetit fizik dhe mendor, pa dyshim se procesi i socializimit do të pezullohet. Një fëmijë që jeton në një ambient me njerëz të zhurmshëm, të shqetësuar dhe agresivë, pa dyshim se do t’i modelojë sjelljet dhe do të bëhet emocionalisht i shqetësuar dhe agresiv. Sjellja pozitive e prindërve gjatë zhvillimit të fëmijës është shumë efektive në edukimin social të tyre. Nëse prindërit vazhdimisht argumentojnë dhe flasin për ndarje apo divorc, socializimi i fëmijës do të rrezikohet. Në këto situata, fëmijët vuajnë nga ankthi e frika dhe gjithnjë shqetësohen se luftimet dhe mosmarrëveshjet do të ndodhin midis prindërve.
Kjo praktikë ka efekte shumë të këqija në fushat mendore dhe sociale të fëmijëve dhe siguron sjellje devijiante dhe delikuencë. Kjo çështje, përveç shqetësimeve të rënda psikologjike për familjet, në afat të gjatë mund të çojë edhe në shkatërrimin e shoqërive.

Andaj, një grup hulumtuesish të Kosovës synuan që të hetojnë rolin e familjes në socializimin e fëmijëve në fillim të vitit 2018 në Komunën e Prishtinës.

Një mostër prej 162 nxënësve të shkollave fillore janë anketuar në mënyrë të rastësishme në këtë hulumtim. Pjesëmarrësit e këtij hulumtimi kanë qenë nxënësit e klasëve të VIII-ta të të tri shkollave të Prishtinës: “Naim Frashëri”, “Emin Duraku” dhe “Asim Vokshi. Prej tyre, 52.5% e tyre ishin djem. Pjesa më e madhe e pjesëmarrësve (50.6%) kanë deklaruar se jetojnë në kushte shumë të mira ekonomike,

Rezultatet e këtij hulumtimi janë në përputhje me gjetjet e fundit të hulumtimeve të tjera (Freeman & Showel, 2010) që vërehet se fëmijët me kohezion familjar më të lartë në aspektin e zhvillimit shoqëror janë më superiorë, në krahasim me fëmijët e familjeve që kanë mungesë kohezioni në familje. Analizat regresionale e nxjerrin të qartë ndikimi e kohezionit familjar tek socializimi i fëmijëve (β=.160, p<.05). Kjo tregon që sa më të larta të jenë vlerat e kohezionit familjar aq më i lartë është socializimi tek fëmijët. Gjithashtu tregohet që në familjet e djemve ka kohezion më të lartë familjar, por gjinia nuk është faktor kyç dhe janë faktor të tjerë më të rëndësishëm që ndikojnë kohezionin familjar. Gjithashtu shihet se vlerat e kohezionit familjar në familjet kosovare janë të larta në krahasim me socializimin e fëmijëve, vlera qe janë afër mesatares. Në anën tjetër, këto të gjitha janë të reflektuara në kërkesën për aktivitete më të shumta brenda familjes dhe që lidhja emocionale e anëtarëve të familjes të jetë më e fuqishme dhe konsistente. Ky hulumtim hap rrugë për të gjithë studiuesit e fushës lidhur me analizimin e dimensioneve të ndryshme që mund të kenë impakt në përforcimin e kohezionit dhe harmonisë familjare.

Nga rezultatet e mësipërme, autorët e studimit nxjerrim disa rekomandime relevante:

  1. Inkurajimi i prindërve për ofrimin e aktiviteteve të cilat ndikojnë në rritjen e socializimit te fëmijët.
  2. Mediat, qendrat kulturore dhe arsimore si dhe profesionistët shëndetsorë duhet së pari të bëjnë përpjekje të mëdha për ta informuar familjen për nevojat dhe problemet e fëmijëve dhe adoleshentëve si dhe nëse është e nevojshme, t’i ndihmojnë ata t’i tejkalojnë ato.
  3. Edukimi i prindërve në mënyra të ndryshme, veçanërisht nëpërmjet orëve të edukimit familjar dhe që vazhdimisht është i udhëhequr nga ekspertë të ndryshëm për këtë fushë.

Autorë të hulumtimit:
Adem Gashi, Albin Mehmeti, Fjolla Avdyli & Leotrim Edipi

Përgatiti:
Adem Gashi

Referencat:
Freeman, H & Showel. M. (1953) The Role of the Family in the Socialization Process. The Journal of Social Psychology, 37:1, 97-101,
Haralambos, M & Holborn, M. (2000). Haralambos & Holborn sociology: Themes and perspectives. London: Collins.
Olson D.H., Russell C.S & Sprenkle D.H. (1982). The circumplex model of marital and family systems, VI: Theoretical update. Family Process, 22, 69–83.