Pilotët, ndonjëherë, ngatërronin komandat që ngjasonin në pamje me njëra-tjetrën; në disa avionë, leva që tërhiqte rrotat ishte njësoj me atë që ngrinte krahët e uljes. Të dyja ndodheshin nën ndenjëse dhe shpesh shkaktonin aksidente. Sipas Donald Brodbent, këto mund të shmangeshin, nëse merreshin parasysh aftësitë dhe kufizimet e pilotëve gjatë procesit të skicimit të aeroplanit, në mënyrë që problemi të mos shfaqej në çastin e përdorimit.

Një nga eksperimentet më të rëndësishme të Donald Brodbent u frymëzua nga përvoja e tij me kontrollin e trafikut ajror. Personelit në tokë shpesh i duhej të merrej me disa rryma informacioni që vinin njëkohësisht, të cilat dërgoheshin nga aeroplane që mbërrinin, niseshin dhe organizoheshin në formë stafete nga operatorët me radiomarrëse, nëpërmjet kufjeve. Kontrolluesi i trafikut ajror duhej të merrte vendime të shpejta, në varësi të informacionit që vinte. Brodbenti vuri re se kontrolluesit mund të përpunonin me efikasitet vetem një mesazh, para se të kalonin te tjetri. Në këtë rast, atij i interesonte më shume procesi mendor që ndodhte, për të zgjedhur mesazhin më të rëndësishëm nga burime të ndryshme të informacionit hyrës. Brodbenti kuptoi se në tru duhej të kishte një lloj mekanzimi, i cili përpunonte informacionin dhe bënte përzgjedhjen në fjalë.
Kontrolluesit e trafikut ajror marrin një sasi të jashtëzakonshme sinjalesh të njëkohësishme. Duke rikrijuar këtë çështje në eksperimentet e dëgjimit, Brodbenti arriti të identifikonte proceset e vëmendjes.
Eksperimenti që hartoi Brodbenti, që tani njihet si eksperimenti i të dëgjuarit dikotik ishte një nga të parët në fushën e vëmendjes përzgjedhëse: procesi që përdor truri ynë për të “filtruar” informacionin e panevojshëm nga moria e të dhënave që përftojmë nga shqisat. Duke ndjekuar modelin e kontrollit të trafikut ajror, ai përdori informacionin dëgjimor (me bazë kontrolli) përmes kufjeve, si subjekt të eksperimenteve të tij. Brodbenti e ndërtoi sistemin në mënyrë të tillë, që të kishte dy rryma të ndryshme informacioni që vinin në të njëjtën kohë, një nga veshi i majtë dhe një nga i djathti dhe provoi se ç’sasi informacioni ruanin subjektet.
Ashtu siç dyshonte Brodbenti, subjektet nuk mund ta riprodhonin të gjithë informacionin nga të dy burimet. Përshtypja që kishte, se nuk mund të dëgjonim më shumë se një zë, tashmë ishte vërtetuar, megjithatë lindte pyetja se si e kishte bërë subjekti përzgjedhjen. Përgjigjja ishte: Duke shpërfillur me sukses pjesën tjetër.
Mendjen mund ta përfytyrojmë si një radio, që kap shumë kanale njëkohësisht”. – Donald Brodbent.
Si inxhinier që ishte, Brodbenti sugjeroi një model mekanik për të shpjeguar se çfarë ndodhte në tru. Ai mendonte se, kur ka burime të shumëfishta informacioni, mund të arrihet në një “grykë shisheje”, pasi truri nuk mund të përpunojë gjithë informacionin hyrës; në këtë pikë duhet të ketë një lloj “filtri”, që lejon hyrjen e një kanali të vetëm informues. Analogjia që përdori për të shpjeguar këtë, është mirëfilli praktike; ai morri një gyp në formë Y-je, ku futi dy radhë me topa ping-pongu. Aty ku bashkoheshin dy degët e gypit, kishte një gjuhë, që vihej në punë për të bllokuar ose njërën hyrje të topave, ose tjetrën; kështu, topat që hynin nga ana e pambyllur, futeshin në trupin e gypit.
Në vitin 1958, Brodbenti shkroi: “Ne nuk mund të dëgjojmë më shumë se një zë njëkohësisht dhe fjalët e para që dëgjojmë, janë ato që kujtojmë më mirë”.
Autor:
Adem Gashi
Referencat:
Broadbent, D. (1958). Perception and Communication. London: Pergamon Press.
Cherry, E. C. (1953). Some experiments on the recognition of speech with one and with two ears. Journal of the Acoustical Society of America, 25, 975–979.
Moray, N. P. (1959). Attention in dichotic listening: Affective cues and the influence of instructions. Quarterly Journal of Experimental Psychology, 11, 56–60.
McLeod, S. A. (2008). Selective attention. Simply Psychology.