Është gjithmonë vështirë të vendosësh, ku të fillosh të tregosh historinë e psikologjisë. Por, duke qenë më tepër një fushë emocionale, ajo ofron mundësinë për t’i dhënë kuptimin se si është rritur dhe zhvilluar (Leahey, 2012). Rrënjët e psikologjisë mund të gjenden në filozofi dhe fiziologji. Filozofët si Xhon Locke (1632-1704) dhe Thomas Reid (1710-1796) promovuan empirizmin; idenë se të gjitha njohuritë vijnë nga përvoja (Fuchs, 2000). Pyetjet filozofike rreth natyrës së mendjes dhe njohurisë u përputhën në shekullin XIX nga hetimet fiziologjike të sistemeve shqisore të vëzhguesit njerëzor. Puna e fiziologëve tregoi se shqisat tona mund të na mashtrojnë dhe se ato nuk janë pasqyrë e botës së jashtme (Fancher & Rutherford, 2011). Kurse, zhvillimi formal i psikologjisë moderne zakonisht merret me punën e mjekut gjerman, fiziologut dhe filozofit Wilhelm Wundt (1832-1920). Wundt në vitin 1875, u bashkua në Universitetin e Leipzig dhe shpejt filloi të bënte plane për krijimin e një programi të psikologjisë eksperimentale. Në vitin 1879, ai plotësoi ligjëratat e tij mbi psikologjinë eksperimentale me një përvojë laboratorike, një ngjarje që ka shërbyer si datë popullore për themelimin e shkencës së psikologjisë. Pas hapjes së laboratorit të Wundt në vitin 1879, u deshën vetëm katër vjet për të hapur laboratorin e parë të psikologjisë në Shtetet e Bashkuara (Benjamin, 2007). Versioni i psikologjisë së Wundt mbërriti në Amerikë më dukshëm përmes punës së Edward B. Titchener (1867-1927). Si student i Wundt-it, Titchener solli në Amerikë një markë të psikologjisë eksperimentale të referuar si “strukturalizëm”. Strukturalistët ishin të interesuar në përmbajtjen e mendjes, pra në atë se çfarë është mendja (Titchener, 1909).

William James, G. Stanley Hall dhe James McKeen Cattell ishin në mesin e një grupi që u identifikuan me “funksionalizmin”. Funksionalistët ishin të interesuar në aktivitetet e mendjes, në atë që mendja bën (Benjamin, 2007). Gjatë shekullit të 20-të, psikologjia vazhdoi të rritet dhe të lulëzojë në Amerikë. Psikologjia e Gestalt (tërësia) është një shembull i mirë. Lëvizja Gestalt filloi në Gjermani me punën e Max Wertheimer (1880-1943). Këta besonin se studimi i të gjitha përvojave ishte më i pasur se studimi i aspekteve individuale (Guthrie, 2003). Një shkollë e re ishte edhe biheviorizmi, që u shfaq në fillim të shekullit të 20-të dhe u bë një forcë e madhe në psikologjinë amerikane. E zhvilluar nga psikologë të tillë, si John B. Watson (1878-1958) dhe B. F. Skinner (1904-1990), kjo shkollë hodhi poshtë çdo referencë në mendjen dhe vëzhgimin e sjelljes së dukshme dhe të vëzhgueshme si elementi i duhur i psikologjisë (Fancher, 1987). Mirëpo, biheviorizmi, nuk ishte në gjendje të shpjegonte plotësisht sjelljen njerëzore, sepse neglizhonte proceset mendore. Kthesa drejt një psikologjie njohëse nuk ishte e re. Në vitet 1930, psikologu britanik Frederic C. Bartlett (1886-1969) zbuloi idenë e mendjes konstruktive, duke pranuar se njerëzit përdorin përvojat e tyre të kaluara për të ndërtuar korniza që të kuptojnë përvojat e reja.

Në Amerikë, gjithmonë ka qenë në interes zbatimi i psikologjisë në jetën e përditshme. Testimi mendor është një shembull i rëndësishëm. Testet moderne të inteligjencës u zhvilluan nga psikologu francez Alfred Binet (1857-1911). Qëllimi i tij ishte të zhvillonte një test, i cili do të identifikonte nxënësit që kishin nevojë për mbështetje edukative (Fancher, 1987). Meqenëse rolet e psikologëve dhe nevojat e publikut vazhduan të ndryshonin, ishte e nevojshme që psikologjia të fillonte ta përkufizonte veten si një profesion. Që në fillim të vitit 1917, psikologët e aplikuar u organizuan për të krijuar standarde për arsimim, trajnim dhe licensim. Nga vitet 1930, këto përpjekje çuan në krijimin e Shoqatës Amerikane për Psikologji të Aplikuar (AAAP). Ndërsa Shoqata Psikologjike Amerikane (APA) përfaqësonte interesat e psikologëve akademikë. AAAP u shërbeu atyre në arsim, industri, këshillim dhe punë klinike. Ardhja e Luftës së Dytë Botërore ndryshoi gjithçka. Viktimat psikiatrike të luftës ishin në numër të madh dhe nuk kishte mjaft profesionistë të shëndetit mendor për të plotësuar nevojën. Duke njohur mungesën, qeveria federale kërkoi nga AAAP dhe APA të punonin së bashku për të plotësuar nevojat e shëndetit mendor të kombit. Rezultati ishte bashkimi i AAAP dhe APA dhe kishte në fokus trajnimin e psikologëve profesionistë (Garnets & Kimmel, 2003).  Rritja dhe zgjerimi kanë qenë konstante në psikologjinë amerikane. Në pjesën e fundit të shekullit të 20-të, fusha të tilla si psikologjia sociale, zhvillimore dhe e personalitetit dhanë kontribut të madh në kuptimin e asaj, se çfarë do të thotë të jesh njerëzor.

Autore:

Kaltrina Haziri

Referencat:

Benjamin, L. T. (2007). A brief history of modern psychology. Malden, MA: Blackwell Publishing.

Fancher, R. E. (1987). The intelligence men: Makers of the IQ controversy. New York, NY: W.W. Norton & Company.

Fancher, R. E., & Rutherford, A. (2011). Pioneers of psychology: A history (4th ed.). New York, NY: W.W. Norton & Company.

Fuchs, A. H. (2000). Contributions of American mental philosophers to psychology in the United States. History of Psychology, 3, 3–19.

Garnets, L., & Kimmel, D. C. (2003). What a light it shed: The life of Evelyn Hooker. In L. Garnets & D. C. Kimmel (Eds.), Psychological perspectives on gay, lesbian, and bisexual experiences (2: 31–49). New York, NY: Columbia University Press.

Guthrie, R. V. (2003). Even the rat was white: A historical view of psychology (2nd ed.). Boston, MA: Allyn & Bacon.

Leahey, T. H. (2012). A history of psychology: From antiquity to modernity (7th ed.). Upper Saddle River, NJ: Pearson Education.

Titchener, E. B. (1909). A text-book of psychology. New York, NY: Macmillan.