Fëmijët me autizëm që jetojnë në Kolorado së shpejti mund të përdorin marihuanë, si mënyrë e trajtimit të tyre, pasi që një projektligj i miratuar nga komiteti i Asamblesë së Përgjithshme të këtij shteti, do e kualifikonte autizmin si gjendje për kanabis mjekësor. Nëse ligji kalon fazën tjetër të shqyrtimit, do të bashkohet me numrin në rritje të shteteve që mbështesin trajtimin e fëmijëve me autizëm me vajra kanabis dhe ilaçe. Projektligji tashmë ka mbështetje të madhe nga grupet e avokimit të kanabisit dhe prindërit e fëmijëve me autizëm, por kundërshtarët ende paralajmërojnë për mungesën e hulumtimeve përkatëse. Përderisa është e vërtetë se ka pasur studime të çmuara në atë se si kanabisi prek fëmijët me çrregullim të spektrit të autizmit (ASD), aq më pak është publikuar si e rekomandueshme. Kjo e shtron pyetjen se, a mund ta trajtojë me të vërtetë kanabisi autizmin?

Një opsion i fundit

Është vlerësuar se rreth 0.8% e fëmijëve janë diagnostikuar me ASD të rëndë ose të moderuar. Pra, është e drejtë të supozojmë se 0.8% e prindërve dhe kujdestarëve kanë disa nga historitë më shqetësuese, që shpesh kanë të bëjnë me kujdesin për një fëmijë me çrregullim të rëndë. Për shumë njerëz, kjo formë e trajtimit është menduar si një pjesë e keqe, por e detyrueshme e prindërimit. Por, pasi legalizimi i kanabisit e ka përfshirë kombin, disa prindër të dëshpëruar kanë shtuar drogën në rutinën e përditshme të fëmijës së tyre. Dhe për shumicën e rasteve, përfitimet kanë qenë të jashtëzakonshme. Për fëmijët të cilët dikur vuanin nga furitë ekstreme dhe nga vështirësitë e të folurit, raportohet se u bënë më të qetë dhe bashkëbisedues.

A është apo jo, e mbështetur nga faktet, këto histori të mrekullueshme janë përhapur nëpër të gjitha rrethet prindërore të autizmit dhe kanë ndihmuar në nxitjen e legjislacionit të fundit të kanabisit. Në një seancë dëgjimore në Kolorado, një nënë ka dëshmuar se nuk i interesonte mungesa e provave mjekësore dhe se “si një nënë, dua që fëmija im të ndalojë së përplasuri kokën e tij për muri”. Për shumë prindër të shqetësuar, një histori është e gjitha që i’u duhet për të provuar një ilaç të ri. Për të tjerët, dëshmitë dhe evidencat janë një domosdoshmëri.

Për fat të mirë, në sajë të studimeve pioniere në Izrael dhe në SHBA, baza e provave po rritet.

Nga anekdotat tek akademia!

Pas një hulumtimi të suksesshëm të efikasitetit të kanabisit në trajtimin e epilepsisë, një numër gjithnjë e më i madh i institucioneve po shqyrtojnë aftësinë e bimëve për të trajtuar simptomat e autizmit. Vetëm gjatë vitit të kaluar, Universiteti i Kalifornisë në San Diego, Qendra Mjekësore Montefiore në Nju Jork dhe Qendra Mjekësore Shaare Zedek në Izrael, kanë paralajmëruar studime të reja klinike për hetimin e efekteve të përbërësve të kanabisit tek fëmijët me autizëm.

Komponenti kryesor me interes është CBD (Cannabidiol). I njohur dhe i tregtuar për efektet e tij terapeutike në mbarë botën, studiuesit janë të interesuar nëse kanabinoidi mund të ndryshojë në mënyrë të sigurtë aktivitetin nervor të fëmijëve dhe të lehtësojë simptomat më shqetësuese të ASD-së, si vetë lëndimi, hiperaktiviteti dhe çrregullimet e komunikimit. Një studim në Izrael raportoi një përmirësim në 61% të pacientëve. Autori kryesor, Dr Adi Aran, ka qenë një përkrahës i përdorimit të kanabisit për trajtimin e çrregullimeve neurologjike të fëmijërisë për gati një dekadë. Më 2013, ai ishte një nga disa neurologët në botë, që rekomandonte drogën tek fëmijët me epilepsi. Përafërsisht një e treta e fëmijëve me autizëm, gjithashtu vuajnë nga krizat epileptike, dhe pas vëzhgimit të disa prej këtyre fëmijëve, Aran mendonte nëse CBD mund ta trajtonte si komponentë të vetme autizmin.

“Ne në komunitetin mjekësor pamë që fëmijët me epilepsi dhe autizëm vërtet përmirësoheshin, jo vetëm në problemet e tyre epileptike, por edhe në sjelljen e tyre”, thotë Aran. “Ndonjëherë, vetëm simptomat e autizmit qenë ato që u përmirësuan”. Kohët e fundit, një studim më i madh në Izrael raportoi një përmirësim në 80.1% të pacientëve pas një trajtimi ditor me CBD gjatë 6 muajve. Botuar në Nature, studimi gjithashtu pohon se nga 188 fëmijët e përfshirë, 34% ulën medikamentet e tjera dhe 24 nga 27 pacientët me epilepsi, panë një reduktim ose zhdukje të simptomave. “Autizmi është një gjendje kryesore për shqetësim në mbarë botën, kështu që ky studim nuk mund të ketë ardhur në një kohë më të mirë”, thotë Dr. Annabelle Manalo. “Të dhënat tregojnë se pacientët me autizëm mund të përmirësojnë cilësinë e përgjithshme të jetës duke shfrytëzuar CBD-në dhe më e rëndësishmja, që përdoruesit e rinj mund të përfitojnë në mënyrë të sigurtë dhe efektive nga kanabisi mjekësor. Me këtë studim, kanabisi është treguar të jetë një zgjedhje efektive për prindërit që kërkojnë trajtimin më të sigurt dhe neuro mbrojtës”.

Përderisa të dyja studimet i përkrahin përfitimet e trajtimeve CBD për fëmijët me autizëm, asnjëra nuk mund ta tregojë arsyen pse. Studimet e mëparshme të kafshëve kanë treguar se individët me autizëm mund të kenë rregulluar sistemet endokanabinoid, të cilat mund të stabilizohen nga një fluks i kanabinoidëve. Ide të tjera përfshijnë efektet e oksitozinës, një neurotransmetues që ka treguar për të lehtësuar ndërveprimet sociale. Në disa studime, CBD u gjet se rrit lirimin e oksitozinës gjatë aktiviteteve sociale. Cilado që është metoda e përdorimit, CBD ende nuk mund të ketë një efekt pozitiv mbi individin pa pasur fare ndonjë rrezik. Edhe pse të ulëta, rreziqet që lidhen me trajtimin e CBD mund t’i largojë disa prindër të fëmijëve me autizëm. Në studimin e Tikun Olam, 6.6% e pacientëve raportuan se kishin nervozizëm dhe 3.2% raportuan pagjumësi dhe efekte psikoaktive. Dhe larg studimeve të reja për autizmin, hulumtimi për efektin e CBD-së me tregon se efektet anësore nuk kanë munguar as tek fëmijët me epilepsi. Në një studim, 11.1% e fëmijëve shfaqën simptoma të tërheqjes dhe trajtimi u ndërpre madje për 8.9% të pjesëmarrësve për shkak të ngjarjeve të padëshiruara, si diarreja.

Pra, a mund ta trajtojë kanabisi autizmin?

Tani për tani, me vetëm me përjashtim të disa studimeve të botuara, është e pamundur të thuhet nëse kanabisi është një ilaç plotësisht i dobishëm dhe i sigurt për të trajtuar fëmijët me autizëm të rëndë. Ndërsa këto studime kanë demonstruar rezultate të jashtëzakonshme dhe u janë dhënë besim fjalëve të zëshme që diskutohen midis prindërve të fëmijëve me autizëm, ato janë akoma shumë pak për të merituar miratimin e organeve më të larta mjekësore dhe të drogës, siç është FDA. Por ndryshimi mund të jetë në horizont. Studimet në Universitetin e Kalifornisë, San Diego, dhe Qendra Mjekësore Montefiore, Nju Jork, janë ende në vazhdim dhe nëse rezultatet janë diçka e ngjashme me ato të institucioneve të Izraelit, trajtimet me CBD një ditë mund të bëhen metoda të verifikueshme mjekësore për të trajtuar njerëzit me autizëm.

Deri atëherë, për prindërit që jetojnë në Kolorado dhe shtetet që kanë miratuar tashmë kanabisin si trajtim për pacientët autistikë, zgjedhja se a duhet t’iu japin fëmijës së tyre CBD është një zgjedhje personale, e peshuar nga historitë e njohura dhe aspekti shkencor mbetet ende i panjohur (Bear McGuinness, 2019).

Përktheu dhe përshtati: Korab Mala

Referenca:

Bear McGuinness, L. (2019). Can Cannabis Treat Autism? Retrieved from: www.analyticalcannabis.com/articles/can-cannabis-treat-autism-311456?fbclid=IwAR3nu88deZWjEP6Fl0qoQC3_aYNP4qCPktuCP4-VKmi-kRnWNwblV0A5-7k