Psikologjia rendit lloje nga më të ndryshmet të personalitetit të njeriut dhe tipare nga më të larmishmet. Shumë nga ne tashmë jemi njohur me teorinë “Big Five” të personalitetit por edhe me ndarje të shumta të bëra nga fillestarët e shkencës së psikologjisë. Me siguri, termi narcizëm tashmë është bërë i njohur për individë të cilët kanë njohuri nga psikologjia por edhe për persona të tjerë të cilët sadopak njohin definicionet për personalitetet e njerëzve. Kohët e fundit, është debatuar shumë në lidhje me atë se a ekziston ndërlidhje ndërmjet narcizmit dhe të pasurit vetëbesim të lartë. Për të qartësuar një fenomen të tillë, fillimisht le të shohim se çka kuptojmë me narcizmin dhe vetëbesimin e lartë.

Narcizmi njihet si një çrregullim i personalitetit i cili manifestohet me nivel të lartë të egoizmit, mungesë të empatisë ndaj të tjerëve, arrogancë të dukshme si dhe një dashurie të pamasë për veten. Personat që kanë doza të narcizmit kanë nevojë të kenë superioritet mbi të tjerët. Gjithashtu, ata vazhdimisht ndjejnë nevojë që të kenë vëmendje nga rrethi i tyre. Narcistët duan që të jenë perfeksionist në secilin hap që e bëjnë si dhe të kenë kontroll për ngjarjet që ndodhin përreth. Ajo çka është interesante për personat narcistë është fakti se ata jetojnë me një ankth të nënshtruar dhe frikë nga refuzimi apo jopëlqimi nga të tjerët. Pikërisht, frika që ata e fshehin brenda ndikon që të bëjnë sjellje cinike nga jashtë për të përmbushur boshllëkun e ndjerë.

Vetëbesimi i lartë dallohet te personat që kanë disa sjellje të caktuara. Shembull, personat që zotërojnë nivel të lartë të vetëbesimit ndihen të lumtur me atë çka ata posedojnë. Nuk kanë nevojë të jenë si dikush tjetër, për vetë faktin se janë të kënaqur me veten e tyre. Individët me nivel të lartë të vetëbesimit qëndrojnë besnik krahas ideve të tyre dhe kanë një drejtim jetësor drejt të cilit ata ecin. Gjithashtu, vetëbesimi i lartë vërehet nëpërmjet të ndjerit komod dhe mos të pasurit nevojë për aprovimin e të tjerëve.

Nga shpjegimet e bëra, arrijmë në konkludim se të qenurit narcist dhe të pasurit vetëbesim të lartë nuk kanë ndërlidhje me njëra – tjetrën. Realisht, këto dy konstrukte kanë dallime të shumta nga njëra – tjetra. Narcizmi ka nevojë për aprovim nga të tjerët, në mënyrë që të ndihet i kënaqur një person. Ndërsa, personat me vetëbesim të lartë nuk e ndjejnë aspak këtë nevojë, për shkakun që ata mjaftohen me veten e tyre.

Autore:

Tringa Visoka

Referencat:

Jonathan, R. (2014). What is narcissim. Journal of Psychology. Vol 3.

Ronus, J. (2017). The differences between narcissim and high self – esteem. Journal of Positive Psychology.