Termi stile të të nxënit përdoret për të shpjeguar dallimet individuale në mënyrën se si individët i qasen procesit të të nxënit. Ekziston një dallim i madh mes mënyrës se si dikush preferon të mësojë në mënyrë efektive dhe efikase, por preferenca për një mënyrë të caktuar studimi nuk është stil mësimi. Lidhur me stilet e të nxënit ka një numër të madh kritikash mbi teoritë dhe aktivitetet e zhvilluara nga shkollat ​​e bazuara në këto teori (An & Carr, 2017).

Sipas An dhe Carr (2017) kritikat përfshijnë mungesën e një teorie shpjeguese solide, mungesën e hulumtimeve që mbështesin teorinë e stileve të të nxënit, vlefshmërinë e dobët dhe një dështim në arritjen për t’ia atribuar përvetësimin e një materiali të caktuar stileve mësimore. Teoria e stileve të të nxënit është e mangët. Ajo nuk merr parasysh kompleksitetin e të kuptuarit dhe bën që të krijohen probleme bashkëveprimi sepse çdo stil mësimi ka kornizën e tij të ndryshme konceptuale. Nuk është e mundur të mësojmë koncepte komplekse siç janë matematika ose gjuhët duke i paraqitur ato në vetëm një stil.

Disa informacione nuk mund të paraqiten në një stil të vetëm, njerëzit janë në gjendje të kodojnë dhe të marrin informacione në mënyra të shumta dhe kështu të zhvillojnë kujtesën, të mësuarit dhe arritjet. Studentët mund të jenë të aftë në të dyja; përpunimin e informatave verbale dhe atyre vizuale dhe që të dyja mund të përmirësohen nëpërmjet mësimit e jo stileve mësimore të dizajnuara për të punuar vetëm brenda një mësimi të caktuar (An & Carr, 2017). Mësimi i studentëve të mjekësisë për të njohur tingujt e zemrës do të ishte e pamundur duke përdorur metoda vizuele, ndërsa mësimi i tyre për të njohur prerje të ndryshme të lëkurës do të ishte e pamundur duke përdorur tingujt (Newton & Miah, 2017).

Përdorimi i një teknike joefektive të edukimit është potencialisht negative për individët që kanë një stil dominues, pasi që mund të zgjedhin që të mos ndjekin lëndët që ata perceptojnë si të dominuara nga një stil tjetër ose mund të zhvillojnë një ndjenjë të rreme besimi në aftësitë e tyre për të zotëruar lëndët që ata i perceptojnë si të përshtatshme për stilin e tyre. Stilet e të nxënit janë mite dhe në mënyrë të qartë bëjnë një punë të dobët të shpjegimit të shkaqeve të dallimeve individuale në mësimin e individëve.
Më e rëndësishmja, rekomandimi për stilet e të mësuarit nuk rezulton në përmirësim. Përdorimi i teknikave joefektive siç janë stilet e të nxënit mund të zvogëlojë përdorimin e teknikave që janë efektive (Newton, 2015).

Autore:

Bleona Humolli

Referencat:

Ann, D. & Carr, M. (2017). Learning styles theory fails to explain learning and achievement: Recommendations for alternative approaches. Science Direct. Vol. (116), pp. 410-416.

Newton, P. (2015). The Learning Styles Myth is Thriving in Higher Education. Frontiersin.

Newton, P. & Miah, M. (2017). Evidence-Based Higher Education – Is the Learning Styles ‘Myth’ Important? Frontiersin.