Besimet fetare nuk janë të lidhura me intuitën apo mendimin racional, sipas hulumtimeve të reja nga universitetet e Coventry dhe Oxford. Studimet e mëparshme kanë sugjeruar, se njerëzit që kanë besime të forta fetare janë më intuitivë dhe më pak analitikë, kur mendojnë më shumë analitikisht, besimet e tyre fetare zvogëlohen. Por, kërkimet e reja sugjerojnë se nuk është kështu dhe se njerëzit nuk janë “besimtarë të lindur”. Studimi i cili përfshinte teste për pelegrinët që merrnin pjesë në një eksperiment të stimulimit të trurit, nuk gjeti asnjë lidhje midis të menduarit intuitiv/ analitik ose frenimit njohës (një aftësi për të shtypur mendimet dhe veprimet e padëshiruara) dhe bindjet e mbinatyrshme. Në vend të kësaj, akademikët konkludojnë se faktorë të tjerë, siç janë edukimi dhe proceset socio-kulturore, kanë më shumë gjasa të luajnë një rol më të madh në besimet fetare. Studimi i botuar në Scientific Reports, ishte i pari që sfidoi një prirje në rritje midis psikologëve kognitiv gjatë 20 viteve të fundit, që ka tentuar të tregojë se besimi në mbinatyroren është diçka që na vjen “natyrshëm” ose në mënyrë intuitive. Ekipi filloi duke kryer një hetim mbi njërën nga rrugët më të mëdha të pelegrinazhit në botë – Camino de Santiago de Compostela, në Spanjën veriore. Ata kërkuan pelegrinë për forcën e besimeve të tyre dhe kohëzgjatjen e kalimit në pelegrinazh. Ata vlerësuan nivelet e tyre të të menduarit intuitiv me një detyrë probabiliteti. Rezultatet nuk sugjeruan lidhje midis fuqisë së besimit mbinatyror dhe intuitës.

 

Në një studim të dytë, ata gjithashtu nuk gjetën lidhje midis niveleve të të menduarit intuitiv dhe besimit mbinatyror. Në pjesën e fundit të hulumtimit të tyre, ata përdorën stimulimin e trurit për të rritur nivelet e frenimit njohës, i cili mendohet të rregullojë të menduarit analitik. Kjo përfshinte drejtimin e një rryme elektrike pa dhembje, për të aktivizuar gyrusin e poshtëm të drejtë – një pjesë të trurit që kontrollon kontrollin frenues. Një studim i mëparshëm i imazhit të trurit, tregoi se ateistët përdornin më shumë këtë fushë të trurit, kur donin të shtypnin idetë mbinatyrore. Rezultatet treguan se ndërkohë që ky stimulim i trurit ngriti nivelet e frenimit njohës, nuk ndryshoi nivelet e besimit mbinatyror, duke sugjeruar se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet frenimit kognitiv dhe besimit mbinatyror. Akademikët thonë se është “e parakohshme” për të shpjeguar besimin në perënditë si intuitive ose natyrore. Në vend të kësaj, ata thonë se kërkimet e tyre mbështesin një teori, se feja është një proces që zhvillohet për shkak të proceseve socio-kulturore, duke përfshirë edhe edukimin.

 

Autori kryesor Miguel Farias tha: “Çfarë na shtyn drejt besimit në perënditë – intuits apo arsyeja, zemra apo koka? Ka pasur një debat të gjatë për këtë çështje, por studimet tona kanë sfiduar teorinë se të qenit besimtar fetar, përcaktohet nga sa individët mbështeten në të menduarit intuitiv ose analitik. “Ne nuk mendojmë se njerëzit janë “besimtarë të lindur”. Të dhënat e disponueshme sociologjike dhe historike tregojnë se ajo që besojmë është kryesisht e bazuar në faktorë socialë dhe arsimorë dhe jo në stilet njohëse, të tilla si mendimi intuitiv/ analitik.

“Besimi fetar ka më shumë të ngjarë të rrënjoset në kulturë, sesa në ndonjë intuitë primitive.”

 

Autore:

Ariana Krasniqi

 

Referenca:

Farias, M., Mulukom, V., Kahane, G., Kreplin, U., Joyce, A., Soares, P., Oviedo, L., Hernu, M., Rokita, K., Savulescu, J. & Möttönen, R. (2017). Supernatural Belief Is Not Modulated by Intuitive Thinking Style or Cognitive Inhibition. Scientific Reports.