Pyetja që zgjon kureshtje tek secili prej nesh është: “A dëgjon dikush që ka lindur me një humbje dëgjimi një zë të brendshëm”? Disa persona që kanë përjetuar humbjen e dëgjimit kanë kontribuar në këtë temë dhe përgjigjet e tyre janë mjaft interesante.

Një numër i të anketuarve të këtij studimi i bërë nga Fernyhough (2016) kanë pohuar për ekzistencën e një zëri të brendshëm në mendimet e tyre. Njëri nga pjesëmarrësit deklaron: “ Kam një zë në kokën time, por nuk është i bazuar në tinguj. Unë jam një qenie që bazohem më shumë në aspektin vizual, kështu që në kokën time unë shoh mendimet e mia në gjuhën e shenjave, me figura ose ndonjëherë edhe fjalë të shkruara”. Në këtë rast duket se zëri nuk është një tipar i përvojës së personit. Një tjetër pjesëmarrës përjeton një përzierje të modaliteteve. Ai deklaron që: “Zëri i brendshëm është duke folur me mua në mënyrë figurative. Unë e dëgjoj atë, ashtu sikur bëj leximin e buzëve”. Në këtë rast, përvoja e tij flet për tiparet auditive dhe vizuele.

Mosha në të cilën ndodh humbja e dëgjimit duket të jetë e rëndësishme në përcaktimin e formës së zërit të brendshëm qoftë ai në formë të fjalëve apo shenjave. Një pjesëmarrës që ka deklaruar për humbjen e dëgjimit në moshën 2 vjeçare pohon se ai mendon me fjalë, por fjalë pa zë. Ndërsa një pjesëmarrës tjetër me humbje të hershme të dëgjimit përshkruan “dëgjimin” e një zëri si të vetëm që ndodh në ëndrra në mungesë të shenjave ose lëvizjeve të buzëve.

Një studim tjetër i realizuar në fushën e neuroshkencës, konfirmon se si fushat caktuara të trurit që lidhen me procesin e të menduarit dhe që kanë për bazë prezencën e një zëri të brendshëm u aktivizuan pikërisht në momentin kur personat me humbje të dëgjimit mendonin për veten e tyre në gjuhën e shenjave. Kështu, është sugjeruar se ekziston një rrugë e përbashkët nervore që është e bazuar në formën e të menduarit dhe që është e pavarur nga forma e komunikimit që përdor personi, qoftë verbal ose joverbal.

 

Autore:

Dafina Prenaj

 

Referenca:

Fernyhough, Ch. (2016). The Voices Within: The History and Science of How We Talk to Ourselves. London: Wellcome Collection.