Para më shumë se 20 vitesh, hulumtuesi britanez Andrew Wakefield, shkaktoi një histeri globale duke pretenduar se një inokulim i zakonshëm është përgjegjës për dëmtimet neurologjike tek fëmijët dhe zhvillimin e autizmit.

Por, a ekziston me të vërtetë një lidhje e tillë?

Studimet shkencore kanë konfirmuar se kjo lidhje nuk ekziston. Marrja e vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) nuk ndikon aspak në shfaqjen e autizmit. Autizmi është një gjendje mjaft e komplikuar. Ekzistojnë karakteristika të shumta që kontribuojnë në diagnozën dhe vështirësitë e ndryshme që e bëjnë atë më pak një çrregullim të vetëm dhe më shumë një spektër sjelljesh e funksionesh. Ka një shumëllojshmëri të gjeneve që kanë disa ndryshime, shumë prej të cilave mund të trashëgohen. Faktorët mjedisorë si ndotja e ajrit, gjithashtu duket se mbështesin zhvillimin e biokimisë më tej, drejt spektrit të autizmit.

Duke përdorur bazat e të dhënave, studiuesit studiuan rrezikun e zhvillimit të autizmit midis fëmijëve që morën vaksinën MMR, duke i krahasuar me fëmijët që nuk e kishin marrë vaksinën. Ata gjithashtu shqyrtuan rreziqet që lidhen me vaksinën MMR tek fëmijët të cilët kishin vëllezërit apo motrat më të mëdhenjë të diagnostikuar me autizëm (ASD). Nga të dhënat e mbledhura, hulumtuesit konkluduan se vaksina MMR nuk ishte e lidhur me ndonjë rrezik të shtuar që të zhvillojë autizmin tek fëmijët, madje edhe për fëmijët që kishin vëllezërit apo motrat me autizëm (Anjali Jain, 2015).

Edhe pse studimi i Andrew Wakefield (1998), i cili lidhi autizmin me vaksinimin u tërhoq dhe u quajt “mashtrim”, ky mit ka mbizotëruar edhe më tutje. Si rezultat i kësaj, shumë prindër kanë refuzuar të vaksinojnë fëmijët e tyre kundër fruthit, shytave dhe rubeolës, me frikën se fëmija mund të zhvillojë autizëm.

Faktorët më të mëdhenjë që mund të shkaktojnë autizmin janë: nëna ose babai shumë të vjetër, pesha e ulët e lindjes, lindja e parakohshme, rezultati i dobët i Apgar, pirja e duhanit gjatë shtatzënisë, etj. Vaksina MMR mbron fëmijët nga sëmundjet e rrezikshme, madje edhe nga ato vdekjeprurëse. Ngjarjet më të zakonshme, të padëshiruara pas vaksinës MMR janë: dhimbja kur është dhënë vaksina, ethe, skuqje e butë dhe gjëndra të fryra në faqe apo qafë, të cilat konsiderohen reaksione normale. Për shkak se shenjat e autizmit mund të shfaqen në të njëjtën kohë kur fëmijët marrin vaksinën MMR, disa prindër mund të shqetësohen se vaksina shkakton autizmin. Ekspertët e sigurisë së vaksinës, duke përfshirë ekspertë të Qendrave për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) dhe Akademisë Amerikane të Pediatrisë (AAP), bien dakord se vaksina MMR nuk është përgjegjëse për rritjen e numrit të fëmijëve me autizëm kohëve të fundit. Në vitin 2004, një raport i Institutit të Mjekësisë (IOM) arriti në përfundim se nuk ekziston asnjë lidhje midis autizmit dhe vaksinës kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR).

Autore:

Fjolla Binaku


Referencat:

American Academy of Pediatrics. (2019). MMR vaccine not linked to increased autism risk.https://www.aappublications.org/news/2019/03/05/mmrautism030519

Centers for Disease Control and Prevention. (2015). Measles, Mumps, and Rubella (MMR) Vaccine Safety Studies. https://www.cdc.gov/vaccinesafety/vaccines/mmr/mmr-studies.html

Neuroscience News. (2015). Another Study Confirms There is NO Link Between the MMR Vaccine and Autism. https://neurosciencenews.com/no-link-mmr-vaccine-autism-1995/

Science Alert. (2019). Decade-Long Study of Over 650,000 Children Still Finds No Link Between MMR And Autism. https://www.sciencealert.com/even-in-kids-at-risk-the-mmr-vaccine-doesn-t-increase-chances-of-developing-autism?perpetual=yes&limitstart=1&fbclid=IwAR1dlYt5e4HmNg0dnCtHL8Sqtr-nsdWZML9nvckvQoBenvtHVfwSs1Ofl8o