Një psikolog, fitues i çmimit Nobel, thotë se shumica e njerëzve nuk duan të jenë të lumtur!

Ne mendojmë se duam të jemi të lumtur. Megjithatë, shumë prej nesh po punojnë drejt një përfundimi tjetër, sipas psikologut kognitiv Daniel Kahneman, fitues i Çmimit Nobel të vitit 2002, në ekonomi. Kahneman pretendon se lumturia dhe kënaqësia janë të dallueshme. Lumturia është një përvojë momentale që lind spontanisht dhe është e shkurtër. Ndërkohë, kënaqësia është një ndjenjë afatgjatë, e ndërtuar gjatë kohës dhe bazuar në arritjen e qëllimeve dhe ndërtimin e llojit të jetës që admironi.

Për shembull, në hulumtimin e Kahneman për matjen e lumturisë së përditshme, ai gjeti që koha e shpenzimit me miqtë ishte shumë efektive. Sidoqoftë, ata që përqendrohen në qëllimet afatgjata që japin kënaqësi, nuk e kanë domosdoshmërisht priorititet socializimin, pasi ata janë të zënë me një vizion më të madh.
Këto zgjedhje çuan Kahneman në përfundimin se ne nuk jemi aq të interesuar për lumturinë, siç mund të pretendojmë:

“Në përgjithësi, unë nuk mendoj se njerëzit maksimizojnë lumturinë në këtë kuptim … kjo nuk duket të jetë ajo që njerëzit duan të bëjnë. Ata në fakt duan të maksimizojnë kënaqësinë e tyre me veten dhe me jetën e tyre. Dhe kjo çon në drejtime krejtësisht të ndryshme nga maksimizimi i lumturisë,” thotë ai.

Kahneman argumenton se kënaqësia bazohet kryesisht në krahasime. “Kënaqësia e jetës lidhet në një shkallë të madhe me shifrat sociale – arritja e qëllimeve, përmbushja e pritjeve.” Ai vë në dukje se paraja ka një ndikim të rëndësishëm në kënaqësinë e jetës, ndërsa lumturia ndikohet nga paratë vetëm kur mungojnë fondet. Varfëria krijon vuajtje, por mbi një nivel të caktuar të të ardhurave që i plotëson nevojat tona themelore, pasuria nuk rrit lumturinë. “Grafiku është çuditërisht i sheshtë“, thotë psikologu.

Çelësi këtu është kujtesa, e cila është e qëndrueshme. Kurse ndjenjat kalojnë. Shumë nga momentet më të lumtura nuk janë të ruajtura – ata nuk janë kapur të gjithë në kamerën tonë, por ndodhin të veçuara. Dhe pastaj zhduken. Merrni si shembull, të shkuarit në pushime. Në qoftë se ti shkon me pushime për të kalur kohë të mirë, ti do të fokusohesh në bërjen e sa më shumë fotografive, me qëllim që të krijosh kujtime të kënaqshme, në vend që ta shijosh pushimin për atë çka është.

Ne jemi të preokupuar me përcaktimin e numrit të miqve dhe ndjekësve në rrjetet tona sociale, në vend që të kalojmë kohë me njerëzit që na pëlqejnë. Dhe në fund të fundit, kjo na bën të mjerueshëm.
Ne ndjehemi të lumtur kryesisht në shoqërinë e të tjerëve, argumenton Kahneman. Sidoqoftë, lëvizja e psikologjisë pozitive, që ka dalur pjesërisht si rezultat i punës së tij, nuk e thekson spontanitetin dhe marrëdhëniet. Në vend të kësaj, ajo merr një pikëpamje më të gjatë, duke marrë parasysh atë që e bën jetën kuptimplote, që është një koncept që Kahneman thotë se e lë jashtë.

Prapëseprapë, i’a vlen të pyesim nëse duam të jemi të lumtur, të përjetojmë ndjenja pozitive, ose thjesht dëshirojmë të ndërtojmë rrëfime, që duket se i’a vlen të tregojmë për veten dhe të tjerët, por jo domosdoshmërisht kënaqësi. Njihuni me një mik dhe bisedoni me të. Vetëm kështu mund të kaloni një kohë të mirë.


Përktheu dhe përshtati:

Korab Mala


Referenca:

Livni, E. (2018, Dhjetor 21). A Nobel Prize-winning psychologist says most people don’t really want to be happy. Gjetur në qz.com: https://qz.com/1503207/a-nobel-prize-winning-psychologist-defines-happiness-versus-satisfaction/