Tingëllon shumë e pabesueshme të dëgjosh se foshnjet arrijnë të dëgjojnë nga barku i nënës. Për ne mund të jetë i pakapshëm fakti, se një bebe arrin të ndjejë botën e jashtme ende pa ardhur në jetë. A thua vallë, si është e mundur që një krijesë e mitur të arrijë të zotërojë aftësitë e tilla për të dëgjuar jashtë barkut të së ëmës?!

Studime që janë bërë në këtë fushë kanë vërtetuar, se foshnjet arrijnë të dëgjojnë nga barku i nënës së tyre. Për këtë arsye, nënat duhet të inkurajohen që të fillojnë të ju flasin foshnjave apo të lëshojnë tinguj të ëmbël muzikorë; të këndojnë ninulla apo edhe rrëfejnë tregime të ndryshme. Në javën e 4-të dhe 5-të të shtatëzanisë, foshnjet formojnë fytyrën, trurin, hundën, veshët dhe sytë. Java e 18-të shënon fazën kur ato fillojnë të dëgjojnë zërat. Në javën e 24-të, foshnja është më e ndjeshme ndaj tingullit kurse në atë të 25-të, i përgjigjet zhurmave apo tingujve të jashtëm. Gjersa fëmija juaj rritet në bark, shumë tinguj bëhen të dëgjueshëm për ta. Rreth javës së 25-të, ata fillojnë të përgjigjen ndaj zërave apo zhurmës. Regjistrimet e bëra në mitër zbuluan se foshnjet arrijnë të observojnë gjysmën e zhurmave nga jashtë. Po ashtu, tingulli më i rëndësishëm që e dëgjon foshnja është zëri i nënës. Në tre mujorin e tretë, fëmija juaj tashmë mund ta njoh atë. Ai përgjigjet me një normë të zemrës në rritje, që sugjeron se është i vëmendshëm kur flisni.

 

Përpos zërit të nënës edhe roli i babait është i pashmangshëm. Gjatë periudhës së shtatëzanisë, është e preferueshme që të praktikohet edhe një bisedë e tërthortë e babait me fëmiun e tij. Kjo pasi që, foshnja mund të fillojë ta dallojë edhe zërin e të atit dhe të ketë një ndjeshmëri ndaj tij. Gjithashtu rekomandohet që fëmija të dëgjojë muzikën tuaj të preferuar. Është shumë e dobishme për të që të dëgjojë tinguj qetësues në mënyrë që të rris zhvillimin e tij dhe të përparojë të dëgjuarit. Disa studime kanë treguar, se muzika klasike ndikon në rritje e koeficientit të inteligjencës, mirëpo ky fakt ende nuk është vërtetuar shkencëtarisht.

 

Për të kuptuar se si foshnjet dëgjojnë nga barku i nënës provoni këtë trik. Vendosni dorën mbi gojën tuaj dhe kërkoni nga partneri juaj të bëjë të njëjtën gjë. Filloni të flisni ndërmjet vete. Ju do të vëreni që mund të bëni dallimin e tonit dhe fjalëve, mirëpo jo të kuptoni tërësisht atë çfarë thotë partneri juaj. Pikërisht kjo është forma, se si foshnjet dëgjojnë zëra nga jashtë. Ato mund të jenë në gjendje t’i dallojnë por jo të kapin kuptimin e tyre.

 

Autore:

Tringa Visoka

 

Referencat:

Partanen, E., Kujala, T., Tervaniemi, M & Huotilanien, M. (2013). Prenatal music exposure induces long – term neural effects. Journal.pone.

Skwarecki, B. (2013). Babies learn to recognize the voice inside the womb. Psychology review.