Aktivitetet e përditshme fizike dhe përfshirja në sporte të ndryshme bëjnë që trupi jonë të jetë i shëndetshëm dhe i fortë fizikisht. Efektet pozitive të të ushtruarit, janë po aq të rëndësishme edhe në fushën e psikologjisë. Një gjë të tillë e tregojnë studimet e fundit shkencore, të cilat kanë renditur vetëm disa nga shumë përfitime të tjera që vijnë si rezultat i aktiviteteve sportive në shëndetin mendor.

Gjashtë përfitime nga të ushtruarit sport:

  1. Përfshirja në aktivitete fizike përmirëson humorin tonë. Relaksi dhe lumturia që sjell një lojë basketbolli me shokët e lagjes apo, ushtrimi për disa orë në qendra të fitnesit janë të paevitueshme. Përpos kësaj, përfshirja në aktivitete sportive rrit edhe kontaktin tonë social, duke na mundësuar të krijojmë shoqëri me trajnerët apo shokët e skuadrës.

 

  1. Sporti rrit koncentrimin. Studimet kanë treguar se aktiviteti i rregullt fizik ndihmon që mendja jonë të jetë e mprehtë dhe e kthjellët. Pjesëmarrja në aktivitete fizike 3 deri 5 herë në javë, me kohëzgjatje deri në 30 minuta, rrit koncentrimin dhe përmirëson aftësitë tona mendore.

 

  1. Sporti ul nivelin e stresit dhe depresionit. Kur jemi fizikisht aktiv, mendja jonë largohet nga stresorët e përditshëm. Kjo ndihmon në shmangien e mendimeve negative dhe uljen e hormoneve të stresit në trupin tonë. Në të njëjtën kohë, aktivitetet fizike lirojnë hormonin e endorfinës, i cili ndihmon që të ndihemi më të relaksuar dhe optimistë pas një stërvitjeje të vështirë (Schindly, 2017).

 

  1. Sporti përmirëson gjumin tonë. Sportet dhe format e tjera të aktivitetit fizik përmirësojnë cilësinë e gjumit. Ato e bëjnë këtë duke na ndihmuar të biem në gjumë më të shpejtë dhe të thellë. Fjetja më e mirë mund të përmirësojë disponimin tonë dhe na relakson për ndeshjen e nesërme.

 

  1. Sporti rrit vetëbesimin. Ushtrimet e rregullta që bëjmë mund të rrisin besimin tonë dhe të shtojnë vetëvlerësimin që kemi për vetën. Gjatë praktikimit të lojërave sportive, vetëimazhi ynë përmirësohet gjithashtu. Kjo ndikon që ne të ndihemi më mirë dhe të kemi më shumë vetëbesim në gjërat që bëjmë (Watson, 2013).

 

  1. Sporti rrit aftësitë tona të lidershipit. Studime të shumta kanë vërtetuar se ekziston një ndërlidhje ndërmjet pjesëmarrjes sportive dhe cilësive të lidershipit. Për shkak të mundësisë për të trajnuar, provuar, fituar ose humbur së bashku, njerëzit e përfshirë në sport natyrisht janë më të prirur për të adaptuar një “mendim ekipi” në vendin e punës dhe në situata sociale. Mendësia e ekipit çon në cilësi të fortë të lidershipit.

Këto ishin vetëm disa nga efektet pozitive të sportit në shëndetin tonë mendor. Pra, sporti poashtu ndikon edhe në mënyrën se si ne ndihemi. Sa më shumë aktivitete sportive që bëjmë, aq më shumë do të ndjejmë relaks dhe do të mbushemi me mendime pozitive.

 

Autore:

Tringa Visoka

 

Referencat:

Schindly, B. (2017). How does participating in sport relieve stress. Live Strong.com.

Watson, K. (2013). Top 7 mental benefits of sport. Health Line.com