Ëndrrat mund të jenë interesante, emocionuese, të tmerrshme ose thjesht të çuditshme. Derisa nuk ka konsensus të qartë përse ne ëndërrojmë, studiuesit kanë mësuar mjaft për atë që ndodh gjersa ne ëndërrojmë. Këto janë gjashtë gjëra që duhet t’i dini për ëndrrat.

Të gjithë ëndërrojmë!

Ne të gjithë ëndërrojmë për rreth dy orë në natë. Secila ëndërr zakonisht zgjat nga 5 deri në 20 minuta. Gjatë një jete tipike, njerëzit shpenzojnë mesatarisht gjashtë vite duke ëndërruar.

Ne i harrojmë shumicën e ëndrrave!

Studimet kanë treguar se rreth 95 përqind e ëndrrave harrohen. Mirëpo, shtrohet pyetja: Pse ëndrrat tona janë aq të vështira për t’u kujtuar? Sipas një teorie, ndryshimet që ndodhin në tru gjatë gjumit, nuk mbështesin përpunimin e informacionit dhe ruajtjen e nevojshme për formimin e kujtesës.

Burrat dhe gratë ëndërrojnë ndryshe!

Hulumtuesit kanë gjetur disa dallime midis burrave dhe grave kur bëhet fjalë për përmbajtjen e ëndrrave. Një studim i realizuar ka treguar se ëndrrat e burrave kanë tendencë të kenë përmbajtje më agresive dhe aktivitet fizik, ndërsa ëndrrat e grave përmbajnë më shumë refuzim dhe përjashtim. Gratë priren të kenë ëndrra pak më të gjata, që shfaqin më shumë karaktere. Kur është fjala për personazhet që zakonisht shfaqen në ëndrra, burrat ëndërrojnë për burrat e tjerë dy herë më shpesh sesa gratë, ndërsa gratë kanë tendencë të ëndërrojnë për të dy gjinitë në mënyrë të barabartë.

Edhe kafshët ëndërrojnë!

Ndonëse është e vështirë të thuhet se një kafshë ëndërron, studimet kanë gjetur se kafshët ëndërrojnë ashtu sikur edhe ne njerëzit.

Është e mundshme t’i kontrolloni ëndrrat tuaja!

Një ëndërr e kthjellët është ajo në të cilën jeni të vetëdijshëm se po ëndërroni, edhe pse jeni ende në gjumë. Gjatë këtij lloji të ëndrrës, shpesh mund të drejtosh ose të kontrollosh përmbajtjen e ëndrrës. Disa individë janë në gjendje të kenë ëndrra të qarta mjaft shpesh.

Njerëzit e verbër i shohin ëndrrat vizualisht!

Në një studim të njerëzve që kanë qenë të verbër që nga lindja, studiuesit zbuluan se ata ende dukej të përjetonin imazhe vizuale në ëndrrat e tyre. Pjesëmarrësit e verbër raportuan të njëjtat ndjesi të ëndrrave, duke përfshirë përmbajtjen vizuale.

Autore:

Tringa Visoka

Referenca:

Cherry, K. (2018). Dreams, a vision of our world. Journal of Social and Clinical Psychology.