Hulumtimet tregojnë se çdo nëntë sekonda, një nxënës merr vendim për të braktisur shkollën (Children’s Defense Fund, 2002). Këta nxënës “zhduken” nga sistemet arsimore, gjë që çon në pasoja të tjera më serioze për individin, si dhe për shoqërinë. Dështimet raportohen se kanë të bëjnë më së shumti me norma të larta burgimi, papunësi më të lartë, fitojnë më pak para dhe kanë kujdes shëndetësor më të varfër, gjë që e rrit gjasën që këta individ të mbesin në varfëri (NGA Center for Best Practices, 2009). Këto pasoja janë shpesh stresorë të mëdhenj në jetën e këtyre individëve dhe nga ana tjetër kanë një ndikim negativ në mirëqenien fizike, mendore dhe emocionale të nxënësve.

Arsyet pse nxënësit braktisin shkollën

Vendimi për të braktisur diçka nuk merret brenda natës, për më tepër ekzistojnë një mori arsyesh që çojnë deri në braktisje. Një pjesë e madhe e literaturës, ka identifikuar arsyet pse nxënësit braktisin shkollën (Orfield, 2004). Nxënësit shpesh kanë vështirësi me suksesin akademik, si dhe faktorë të tjerë, si: mungesa, probleme të sjelljes, mungesë të angazhimit dhe vetëbesim të ulët (Rumberger & Larson, 1998). Parashikues të fuqishëm të faktorëve të lidhur me braktisjen mund të jenë edhe arritjet në matematikë dhe lexim (Balfanz & Legters, 2004). Gjithashtu, për disa nxënës, çështje të tilla, si: varfëria, arritjet e ulëta akademike, mungesa e motivimit, shtatzënia, pritshmëritë e ulëta, janë raportuar gjithashtu si shkaqe për braktisjen (Velez & Saenz, 2001). Arsye të përmendura në literaturë, rreth braktisjes së shkollave, janë edhe aspekti financiar, familje jofunksionale, varësi ndaj alkoolit ose drogave të tjera, problemet e disiplinës në shkollë, të qenit një prind i ri, presion nga kolegët dhe normat e larta të tranzicionit. Në një studim longitudinal për edukimin ndërkombëtar, nxënësit kanë raportuar arsye specifike për braktisjen e shkollës, ku përfshihej: mos pëlqimi i shkollës, prindërit jo mbështetës, kujdesi për një anëtar të familjes dhe nevoja për punësim (Berktold, Geis, & Kaufman, 1998).

Poashtu, fëmijët me probleme të shëndetit mendor të tilla si: ankthi, depresioni dhe ata me agresivitet dhe sjellje delikuente, kanë raportuar se janë në rrezik më të madh për braktisjen e shkollave (Fortin, Royer, Marcotte & Yergeau, 2004). Sipas Zyrës Amerikane të Drejtësisë për të Miturit dhe Parandalimit të Delikuencës (2005), këta individë nuk arrijnë të hyjnë në shkollë për shkak të performancës së dobët akademike, procesit të ri-regjistrimit, vështirësive të ndryshme dhe nevojës për shërbime të edukimit special. Këta nxënës poashtu ka raste kur abuzojnë me substanca narkotike (National Center on Addiction and Substance Abuse, 2005).

Në nivel familjar, faktorët e rrezikut që raportohen më së shpeshti në hulumtim janë statusi i ulët socio-ekonomik (Battin-Pearson et al., 2000) dhe mosfunksionimi i familjeve (Lessard et al., 2008). Këto gjëra që ndodhin në mjedin familjar shpesh në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë ndikojnë në atë që ndodh në mjedisin shkollor. Shumë shpesh këto çështje janë injoruar, por është e nevojshme të adresohen në vendet e duhura, në mënyrë që nxënësit të kenë një mundësi për të qenë më të suksesshëm në shkollë.

 

Autore:

Kaltrina Haziri

Please select a valid form

Referencat:

Balfanz, R., & Legters, N. (2004). Locating the dropout crisis: which high schools produce the nation’s dropouts? Where are they located? Who attends them?

Baltimore, M. Center for Social Organization of Schools. Johns Hopkins University.

Battin-Pearson, S., Abott, R. D., Hill, K. G., Catalano, R. F., Hawkins, J. D., & Newcomb, M. D. (2000). Predictors of early high school dropout: A test of five theories. Journal of Educational Psychology, 92, 568-582.

Berktold, J., Geis, S., & Kaufman, P. (1998). Subsequent educational attainment of high school dropouts. Washington, DC: U.S. Department of Education.

Children‟s Defense Fund. (2002). Moments in the lives of America’s children (Issue Brief). Marrë nga: http://www.childrensdefense.org

Fortin, L., Royer, E., Marcotte, D., & Yergeau, E. (2004). La prediction du rique de decrochage scolaire au secondaire: Facteurs personnels, familiaux et scolaires. Revue Canadienne des Sciences du Comportement, 36, 219-231.

Lessard, A., Butler-Kisber, L., Fortin, L., Marcotte, D., Potvin, P., & Royer, E. (2008). Shades of disengagement: High school dropouts speak out. Social Psychology in Education, 11, 25-42.

National Center on Addiction and Substance Abuse. (2005). Criminal neglect: Substance abuse, juvenile justice and the children left behind. Marrë nga: http://www.casacolumbia.org/articlefiles/379-Criminal Neglect.pdf

NGA Center for Best Practices. (2009). Reducing Dropout Rates through Expanded Learning Opportunities. Washington, DC: U.S. Government Printing Office.

Orfield, G. (Ed.). (2004). Dropouts in America: Confronting the graduation rate crisis. Cambridge, MA: Harvard Education Press.

Rumberger, R. W., & Larson, K. A. (1998). Student mobility and the increased risk of high school dropout. American Journal of Education, 107, 1-35.

U. S. Office of Juvenile Justice and Delinquency Prevention. (2005). Overcoming barriers to school re-entry. Marrë nga http://www.ncjrs.org/pdffiles1/ojjdp/fs200403.pdf