Të shtrirë në zemër të Ballkanit, e gjejmë një Kosovë të vogël të banuar nga 1.8 milion njerëz të cilët shtëpi i thonë një vendi që ka kaluar në një slitë të pandalshme të ndryshimeve politike, sociale e ekonomike.
Që nga tmerret e luftës e deri në shpallje të pavarësisë, nga ballafaqimi me një pandemi globale dhe deri në këto momente që po shkruaj e në momentet që ju do të jeni duke lexuar këtë shkrim, një gjë, pavarësisht të qenit pjesë e secilës lëvizjeje të slitës së ndryshimeve, mbetet e njëjtë: sfidat unike me të cilat ballafaqohen gratë në Kosovë.
Përballë përpjekjeve për barazi e drejtësi, shëtisin qëndrimet dhe normat patriarkale të cilat vazhdojnë ta pengojnë progresin e nevojshëm drejt barazisë gjinore. Pastaj, jo shumë larg tyre, në fakt i pashkëputshëm, është shëndeti mendor, që vazhdon të mbetet një çështje kritike dhe pjesë e një cikli vicioz të pabarazisë dhe sfidave të shëndetit mendor, cikël ky, i cili duke zënë vend të madh – i padukshëm jo, shumë i injoruar po– është duke u ushqyer e rritur vazdhimisht nga struktura të ndryshme funksionale në shoqërinë kosovare.
Historikisht, në vende të ndryshme në botë, kujdesi shëndetësor është organizuar mbi baza diskriminuese, ku, gjersa shkenca e mjekësisë arrinte suksese të njëpasnjëshme, studimet hulumtuese dhe klinike në të ishin kryesisht të bazuara në përvojat dhe simptomat e burrave, duke shpërfillur thellësisht përvojat e grave dhe duke kontribuar në praktikën e nëndiagonstifikimit të tyre, ofrimit të diganozave të gabuara ose injorimit të plotë të simptomave dhe shqetësimeve të tyre, duke çuar kështu në mohim të mundësisë për marrjen e trajtimit të nevojshëm dhe dekurajim për angazhim në sjellje ndihmë-kërkuese.
Praktikat diskriminuese janë bartur fuqishëm edhe në fushën e shëndetit mendor, ku si pasojë e nënvlerësimit të sfidave shëndetësore të grave, simptomat e çrregullimeve të ndryshme shpjegoheshin në kuadër të diagnozës së histerisë, diagnozë e cila deri shumë vonë në histori i referohej një gjendjeje në të cilën simptomat prezente fizike i atribuoheshin një shkaktari psikik. Si një diagnozë e cila masivisht u ofrohej grave dhe e cila përdorej për ta përshkuar verbërinë, halucinacionet, humbjen e ndjeshmërisë, amnezinë, dhembjen, paralizën dhe të tjera simptoma, dhe e cila implikonte që këto simptoma vinin si rezultat i jostabilitetit emocional apo frustrimit seksual të grave, e jo nga gjendjet e ndryshme mjekësore apo faktorët socialë dhe të tjerët faktorë me ndikim, konsiderohet të ketë kontribuar bindshëm në përforcimin e stereotipeve gjinore. Po ashtu, pasi që histeria, ashtu siç mund ta shihni edhe ju, nuk ishte mirë e kuptuar dhe përkufizuar, kontribuonte në nënvlerësimin dhe mostrajtimin e duhur të sfidave të shëndetit mendor të grave.
Me një progres jo shumë të shpejtë, vetëm 43 vjet më parë, Shoqata Amerikane e Psikologjisë (1980) ndërroi diagnozën e “histerisë” në atë të “shndërrimit”. Ky ndryshim, shoqëruar pastaj edhe me miratim të Aktit për Rigjallërim të Shëndetësisë në vitin 1993, akt që mundësoi rritjen e numrit të studimeve me bazë gjinore, ndihmuan në rritjen e njohjes dhe validimit të përvojave të grave me shëndetin mendor.
Njohuritë e fituara nga këto studime, sot, tregojnë se, edhe pse gratë dhe burrat kanë shkallë të ngjashme të çrregullimeve mendore, llojet e diagnozave të shëndetit mendor ndryshojnë. Gratë kanë dy herë më shumë gjasa se burrat që të diagnostikohen me depresion, çrregullim ankthi të përgjithësuar dhe të stresit post-traumatik dhe gjithashtu përbëjnë shumicën (95%) dërrmuese të personave të diagnostikuar me çrregullime të të ngrënit. Është poashtu e rëndësishme ta kujtojmë faktin që në këto statistika nuk janë të përfshira shumë gra, që për shkak të barrierave sociale, ekonomike dhe psikologjike, shpesh e kanë të pamundur të ekzaminohen e të diagnostikohen dhe, rrjedhimisht, të trajtohen në përputhje me nevojat e tyre.
***
“Kur mërzitem, më dhemb gjoksi dhe më ngrihet gjaku. Nuk mund ta kontrolloj. Por ma thuaj, të lutem, a nuk kam arsye për t’u mërzitur? Nuk kemi para për këtë as për atë, nuk mund të shkojmë as këtu as atje, nuk mund t’ia dalim t’i shkollojmë fëmijët tanë… sëmuresh duke u shqetësuar”.
Ky ishte përshkrimi i një gruaje kosovare në një bisedë me hulumtuesen Kienzler, në një periudhë ku shqetësimet e saj vetëm sa shtohehin dhe gjendja ekonomike e asaj kohe vetëm lehtësuese për ato shqetësime nuk mund të quhej. 65 euro. Kjo ishte shuma monetare që u nda për të gjitha gratë të cilat i kishin humbur bashkëshortët e tyre në luftë. Ku, të veshura në të zezë, në pritje para bankës së Rahovecit, dënuan me kritikë poshtërimin e ndjerë nga kjo pagesë, e cila, çdo ndjenjë të mundshme kishte potencial të ta shkaktonte, vetëm atë të rehatisë e sigurisë jo.
“Veç sëmuresh me shku deri atje për t’i marrë 62 euro. Çfarë bën me 62 euro kur ke fëmijë për të ushqyer? Asgjë!”, kishte shtuar një nga të intervistuarat e tjera të Keinzler. Kjo e fundit vazhdon duke shtuar se pjesëmarrëset e tjera të këtij studimi raportojnë që dhembjet e tyre fizike dhe emocionale ishin të ndërlidhura ngushtë me gjendjen e tyre ekonomike dhe që simptomat e tyre për herë të parë i kujtojnë t’i kenë përjetuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.
I dëshmuar përgjatë studimeve në vende e kontekste të ndryshme, përjetimi i luftës dhe traumës nga shoqëritë e ndryshme, automatikisht i bën këto shoqëri më të thyeshme karshi rrezikshmërisë më të lartë për zhvillimin e problemeve të ndryshme të shëndetit mendor. Pashmangshëmirisht, edhe periudha e pasluftës në Kosovë evidentohet të ketë qenë e karakterizuar me një prezencë të lartë të simptomave të stresit post-traumatik, veçanërisht për gratë të cilat kishin mbështetje të ulët sociale.
***
Habi, frikë, dhunë, humbje, tmerr, shpresë dhe mungesë të saj.
Por jo vetëm. Dhembje koke, shqetësim, trishtim, shtypje gjaku, nervozizëm, probleme me gjumin, stres, dhembje shpine, probleme me zemrën, dhembje stomaku, paralizë, dhembje qafe, probleme me frymëmarrjen, dhembje gjoksi, marramendje, probleme me të ngrënit, humbje e vetëdijes, mungesë e energjisë, makthe, zhurma në kokë, mendime për vetëvrasje, lodhje, klaustrofobi… dhe lista fatkeqësisht vazhdon.
Një listë e derivuar nga rrëfimet e përjetimet e grave vite nga përfundimi i luftës, e cila mund të themi se për nga gjatësia i përshtatet edhe listës së pengesave dhe vështirësive që ato hasën e vazhdojnë të hasin në procesin e adresimit dhe trajtimit të këtyre simptomave.
Dhunë me bazë gjinore, qasje e kufizuar në burimet e shëndetit mendor, burime të pakta të shëndetit mendor dhe alternativa të pakta në ato pak shërbime të shëndetit mendor, qëndrime diskriminuese dhe pabarazi gjinore, traumë historike dhe traumë ndër-breza, paragjykime, stereotipe, stigmë… dhe lista, fatkeqësisht, përsëri vazhdon.
Listën e vazhdon dhe mundohet ta plotësojë edhe neuropsikologe Arlinda Gashi, duke shtuar se “Sfidë për shëndetin mendor të grave në Kosovë mund të jetë edhe varësia finciare që u pamundëson grave të marrin vendime për jetën e tyre; ato përjetojnë pasiguri ekonomike që rrjedhimisht mund të shkaktojë ndjenja negative. Sfidë për shëndetin mendor të grave mund të jetë edhe puna e papaguar e grave. Në Kosovë, një numër i madh i grave bëjnë punë shtëpie, kontributi i të cilave nuk njihet dhe nuk vlerësohet nga shoqëria. Në raste të tjera, gratë mbingarkohen nga punët e dyfishta që duhet t’i bëjnë: puna jashtë e brenda shtëpisë. Shpeshherë, atyre u ngarkohet edhe e tërë përgjegjësia për të rritur fëmijët. Sfidë për shëndetin mendor mund të jetë edhe qasja e pabarabartë në punë dhe diskriminimi gjinor. Gratë shpeshherë në intervista pune pyten nëse planifikojnë të kenë fëmijë, nuk paguhen gjatë pushimit të lehonisë, apo edhe largohen nga puna.”
Mbi këtë listë reflekton edhe N.P., gjuhëtare, e cila tregon se ka qenë koha kur është bërë nënë që ajo e ka ndjerë më shumë që të drejtat e saja ishin të kufizuara, e cila elaboron duke thënë se “Koha kur e kam ndjerë se të drejtat dhe mundësitë e mia ishin të kufizuara për shkak të gjinisë sime, ka qenë kur unë dhe bashkëshorti im, logjikisht, në të njëjtën kohë, jemi bërë prindër. Por gjatë asaj kohe, ai ka qenë i lirë të dalë kurdo që ka dashur, nuk i është cënuar e drejta e gjumit e as vendi i punës, për dallim prej meje që më është dashur të heq dorë nga puna dhe vreprimtaritë e mia tërësisht, më është cënuar mundësia për të dalë edhe kur kam pasur nevojë për ajër të pastër në kohët kur kam dashur, duke mos harruar çrregullimet drastike të gjumit e pasojat që vijnë me to.”
Për më shumë, mungesa e përkrahjes, shkelja e të drejtave, diskriminimi e stigma, përveç që janë pjesë e listës së gjatë të faktorëve që sfidojnë shëndetin mendor të grave, janë pjesë edhe e listës së faktorëve që mund kontribuojnë në dekurajimin e grave për të kërkuar ndihmë, listë kjo e cila do shumë kohë e shkronja që t’i vijë fundi. Pastaj, si rezultat i kësaj liste, në prani të mundësisë së kufizuar për të kërkuar ndihmë, sfidat me shëndetin mendor kanë më shumë gjasa të vazhdojnë të jenë prezente, duke mos përjashtuar hapësirën edhe për intensifikim të tyre.
“Nuk e kam ndjerë të kerkoj ndihmë jashtë vetes sime, shkaku që medoemos kam dashur të dal vetë nga ajo krizë, dhe sepse ndihmën nga të tjerët nuk e kam parë as si opsion, gjë të cilën sot nuk mund ta arsyetoj me logjikën e tanishme. Kurse kohëve të fundit e kam ndjerë të kerkoj ndihmë, dhe arsyeja që më ndalon ta bëj, është frika nga paragjykimet e pikësëpari anëtarëve të familjes sime dhe arsyeja e dytë është, sigurisht, mundësia financiare.”, shprehet N.P. .
Ajo vazhdon më tutje duke rekomanduar vënien në pah të nevojës që të krijohen më shumë burime informacioni rreth çrregullimeve të shëndetit mendor, me fokus në depresionin e pas lindjes, ku ky i fundit, sipas një studimi të realizuar në Klinikën Gjinekologjike Obstetrike në Prishtinë, raportohet me një prevalencë prej 21% në 6 javët e para pas lindjes në gratë kosovare.
Adresimi i mungesës së hulumtimeve në nivel vendi, zhvillimit dhe përmirësimit të kapaciteteve parandaluese, menaxhuese dhe përkrahëse, fushatave ndërgjegjësuese për shëndetin mendor, promovimit të shërbimeve dhe rëndësisë së kërkimit të ndihmës, profesionistëve të kualifikuar, krahas shumë mangësive të tjera, vazhdon të mbetet në nevojë urgjente për lehtësim të barrierve të theksuara socio-kulturore, ekonomike dhe psikologjike që gratë përjetojnë për të pasur qasje në të drejtën e tyre për shëndet dhe mirëqenie mendore. Në nivel të urgjencës mbetet edhe nevoja e thellë për parandalim të dhunës me bazë gjinore dhe diskriminimit, për rritje të sigurisë dhe për respektim të të drejtave të grave, elemente këto në të cilat fokusohet edhe neuropsikologe Gashi, duke thënë se “Për një shëndet më të mirë mendor, është e domosdoshme të adresohet mungesa e sigurisë. Është e rëndësishme që familja, shoqëria e institucionet e shtetit të ofrojnë mbështetje për gratë të cilat kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore apo diskriminim gjinor. Shteti duhet të ofrojë mundësinë për qasje në shërbime të shëndetit mendor për çdo individ që përballet me sfida të shëndetit mendor; njësoj sikurse duhet të ndërmarrë iniciativa për të njohur punën e papaguar të grave, për të parandaluar dhunën me bazë gjinore, për të siguruar respektimin e ligjeve dhe politikave të punës, për të ofruar më shumë mundësi për avancim akademik e profesional për gratë, si dhe për të mbëshetur maksimalisht fuqizimin e tyre.”.
Rrafshi aktual socio-kulturor ka potencial të vazhdojë të jetësojë tutje pabarazinë gjinore, duke fuqizuar paralelisht qëndrimet e normat të cilat gardhojnë qasshmërinë e grave në burime, përkrahje, mundësi, dhe drejtësi. Andaj, me nevojën për vëmendje të shtuar drejt eliminimit të sfidave sistemike, sfidat e shëndetit mendor të grave në Kosovë janë çështje kritike të cilat duhet shqyrtuar me seriozitetin e merituar. Drejt rrugës për progres, duke njohur natyrën e shumanshme të sfidave me të cilat përballen gratë në Kosovë, integrimi i një qasjeje gjithëpërfshirëse ndërvepruese është thelbësor, përfshirë këtu promovimin e fuqizimit social dhe ekonomik të grave, sigurimin në kujdes shëndetësor adekuat, përfshirjen e tyre në proceset e vendimmarrjes dhe zhvillimit të politikave që u japin zë nevojave dhe perspektivave të tyre.